Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me ideën e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.
Osmani një intervistë për “HardTalk”, ka thënë se tash për tash nuk mund të përgjigjet sepse “me Kushtetutën tonë tash s’mund të ketë këso referendumi”.
Për bashkimin kombëtar, ajo ka thënë se mund të flasë vetëm nëse bëhen ndryshime kushtetuese që mundësojnë një gjë të tillë.
Sipas saj, kjo mund të ndodhë vetëm pas disa dekadash.
“Kjo s’është pyetje që do t’i përgjigjem sepse me Kushtetutën tonë s’mund të ketë këso referendumi. Kushtetuta është e qartë dhe kjo është Kushtetutë në të cilën unë besoj. Nëse ajo ndryshohet edhe pse mundësitë për ndryshim janë tejet të vogla, nëse ajo ndryshohet, dhe ajo mund të ndodhë në disa dekada, në atë kontekst politik do të isha në gjendje të përgjigjesha.
Në situatën aktuale, sigurisht dhe fundamentalisht besoj në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përgjigja ime është Kosova është këtu për të qëndruar dhe përgjithmonë”, ka thënë ajo.
Osmani ka deklaruar më tej se drejtësi s’do të ketë deri sa Serbia t’i vendosë para drejtësisë kriminelët e luftës që kanë bërë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë.
Në këtë intervistë, Osmani ka thënë se ajo dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, fituan në zgjedhjet e 14 shkurtit për shkak të programit të bazuar në luftën ndaj korrupsionit dhe duke u ofruar perspektivë të rinjve të vendit./Insajderi.com