Osmani: Nuk ka alternativë tjetër pos dialogut – është gabim serioz që me Serbinë po hapen çështje të mbyllura ndër vite

Osmani: Nuk ka alternativë tjetër pos dialogut – është gabim serioz që me Serbinë po hapen çështje të mbyllura ndër vite

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut e tutje e quajti një gabim serioz hapjen e çështjeve të mbyllura ndër vite me Serbinë për rregullimin e brendshëm, që tashë janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, njofton Insajderi.

Kështu tha derisa zhvilloi një takim me përfaqësuesin special të Norvegjisë, Arne Sannes Bjornstad, me të cilin ka biseduar për bahskëpunimin ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe menaxhimin e situatës me Coronavirus.

Kryetarja Osmani e falënderoi Bjornstad për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë nga ana e shtetit të Norvegjisë në menaxhimin e pandemisë. Ata gjithashtu diskutuan për efektet e menjëhershme pozitive pas hyrjes ne fuqi të Ligjit për parandalimin luftimin e pandemisë COVID-19, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësim të situatës dhe rrjedhimisht duke zvogëluar numrin e rasteve të infektuara.

Në këtë takim u fol edhe për zhvillimet aktuale politike në vend, veçanërisht për procesin e dialogut.

Kryekuvendarja Osmani, potencoi si të domosdoshme nevojën për transparencë të plotë përgjatë tërë këtij procesi e sidomos respektimin e zotimeve të dhëna para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Legjitimiteti, përgatitja, përvoja dhe arritja e unitetit politik janë formula e vetme për sukses në dialog”, ka thënë Osmani.

Të dy palët u dakorduan që është tejet e rëndësishme që tërë ky proces të kalojë përmes Kuvendit dhe të sigurohet që Kuvendi të ketë rol aktiv. /Insajderi.com