“Nuk ka sektor të burrave, ka sektor të sigurisë me burra dhe gra që krahas njëri-tjetrit kujdesën për të gjithë sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim”.
Kështu ka deklaruar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën ku u lansua “Agjenda për Barazi Gjinor në Policinë e Kosovës”, përcjell Insajderi.com.
Sipas saj, duhet të rritet numri i grave që punojnë në sektorin e sigurisë në mënyrë që të ketë barazi gjinore.
Nuk ka shoqëri në qoftë se barazia nuk i prek krejt sektorët, duke përfshirë edhe sektorët e sigurisë që janë boshti i shtetit, ne duhet t’i inkurajojmë gratë që të bëhen pjesë e këtij sektori. Duke siguruar mekanizma adekuat që të mënjanohen pabarazitë gjinore”, tha ajo.
Ndërkaq, kryeministri, Albin Kurti, u shpreh se barazia gjinore në këtë institucion nuk ka për qëllim vetëm kuotën gjinore, por që është edhe detyrim ligjor.
“Agjenda është ballafaquar me sfida të shumta në zbatimin e legjislacionit. Policia e Kosovës na dëshmon qasjen proaktive për ta fuqizuar rritjen e grave në siguri. Arritja e barazisë gjinore nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e kuotës gjinore por është detyrim ligjor për të arritur sundim të ligjit. Kur gratë e raportojnë dhunën, duhet të gjejnë polici mbështetëse, dhe nuk duhet ta ndiejnë veten vetëm.
Përfshirja e grave në institucione ka kthyer ne traditë, por është larg kërkesave që kanë gratë për tu përfshirë në këtë sektorë. Për të angazhuar më shumë gra në këtë sektorë, duhet të përkujdesemi bashkë, që t’i parandalojmë rastet e ngacmimit seksual në punë. Jemi të vetëdijshëm që mungon kujdesi ndaj fëmijëve që i bën të hezitojnë punësimin në institucione”, tha Kurti.
Ndryshe, gjatë kësaj konference u bë e ditur se në Policinë e Kosovës, numri i grave të punësuara është vetëm 15 për qind./Insajderi.com