Osmani pas takimit me Lajçak: Asociacioni vetëm sipas Gjykatës Kushtetuese

Osmani pas takimit me Lajçak: Asociacioni vetëm sipas Gjykatës Kushtetuese

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, u takua sot me të Dërguarin Special e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas këtij takimi, kryetarja Osmani ka thënë se çfarëdo marrëveshje, e cila nuk është e pranueshme për Kuvendin, do të mbetet e pa ratifikuar dhe rrjedhimisht e pazbatueshme.

Tutje Osmani ka theksuar nevojën për konsensus të brendshëm të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë kontekst, kryetarja Osmani ka thënë se sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave.

Osmani i ka thënë të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për Asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjëzimi i Kosovës.

Në fund, Osmani ka kërkuar nga Lajçak që BE-ja t`i bëjë presion Serbisë për t`iu zbatuar marrëveshjet e deritashme me Kosovën, sikurse edhe t`i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë.

Ajo, në veçanti ka kërkuar që BE-ja të dënojë ashpër dhe qartë deklarimet lidhur me fshehjen e varrezave masive në Serbi dhe gjithashtu të kërkojë veprime konkrete nga pala serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve./Insajderi.com