Osmani pas takimit me Pahor: Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave

Osmani pas takimit me Pahor: Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim homologun e saj nga Sllovenia, Borut Pahor, njofton Insajderi.

Pas këtij takimi, Osmani në një konferencë për media është shprehur se  Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Bashkimi Evropian duhet ta mbajë premtimin.

“Natyrisht që e potencuam qartë se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave dhe tani i takon Bashkimit Evropian ta mbaj premtimin. Jo që ka plotësuar kriteret por ka plotësuar dyfishin e numrit të kritereve krahasuar me çdo vend të rajonit dhe tani është në një pritje të gjatë ku qytetarët tanë për gjatë po mbahen të mbyllur , për dallim prej të tjerëve që kanë përfituar nga ky proces”, ka thënë Osmani.

Osmani po ashtu theksoi se para presidentit slloven ka potencuar se dhënia e liberalizimit të vizave do të ishte mirë edhe për çdo proces në të ardhmen sepse do ta rriste kredibilitetin e BE-së brenda Kosovës por edhe më gjerë.

Gjatë kësaj konference, Osmani po ashtu bëri të ditur se ka njoftuar presidentin slloven se Kosova ka nevojë sa i përket vaksinave anti-COVID dhe se shpreson që Sllovenia do ta ndihmojë Kosovën në këtë aspekt.

“Sa i përket situatës me pandeminë e njoftova po ashtu presidentin e Sllovenisë që akoma kemi nevojë për mbështetje sa i përket vaksinave dhe shpresoj shumë që Sllovenia do ta ndihmojë Kosovën, sa do në mënyrë simbolike si afirmimin i marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe miqësisë së fortë ndërmjet dy vendeve tona. Sepse siç thotë populli ynë, por edhe besoj popujt e tjerë, miku i mirë gjithmonë gjendet në ditë të vështira, e Sllovenia gjithnjë ka ditur t’i qëndrojë në krah Kosovës. Shpresoj që këtë ta vazhdoj ta bëj duke ndihmuar për t’u përballur me pandeminë”, deklaroi Osmani./Insajderi.com