Osmani për BBC: Isha vetë refugjate – I presim afganët

Osmani për BBC: Isha vetë refugjate – I presim afganët

“Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe përnjëmend e ndjejmë këtë çdo ditë”.

Kështu është përgjigjur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste dhënë BBC-së.

Osmani tregoi se Kosova është e gatshme që të pres refugjatët afganë.

“Por ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, të këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata”, ka thënë Osmani.

Presidentja kishte dhënë pëlqimin e saj ndaj kërkesës amerikane që përkohësisht të strehohen në Kosovë disa bashkëpunëtorë të SHBA-ve në Afganistan.

Kjo pasi pushtetin atje e morën talebanët, duke ngjallur frikë se bashkëpunëtorët amerikanë do të persekutohen nga grupi militant.

Pos, Kosovës edhe Shqipëria do të strehojë disa refugjatë afganë.

Kriza humanitare në Afganistan është parë si gjasë që Bashkimi Evropian të vërshohet nga emigrantët. /Insajderi.com