Osmani për helmimin e qytetarëve në Deçan: Organet e drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë

Osmani për helmimin e qytetarëve në Deçan: Organet e drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin e helmimit të rreth 900 banorëve të Deçanit, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se nga institucionet pret angazhim të mëtejmë e të plotë në ofrimin e trajtimit adekuat shëndetësor për qytetarët e helmuar, si dhe zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmim.

Tutje, ajo ka shtuar se për detajet e rastit është njoftuar nga kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalim të kësaj situate pa pasoja. Si Presidente e Republikës do të mbaj kontakte me të gjitha institucionet qendrore dhe komunale për t’u informuar lidhur me masat e ndërmarra për adresimin e këtij rasti shqetësues për shëndetin e qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.

Rreth 900 banorë të Komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kësaj komune nën dyshimin për helmim me ujë të pijes./Insajderi.com