Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar të hënën letrat kredenciale të ambasadorit jorezident të Estonisë në Kosovë, Sander Soone, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe e ka falënderuar për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës, përcjell Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, “Osmani ka shfaqur shpresën në mbështetjen e mëtejme në Estonisë në rrugën evropiane të Kosovës, duke llogaritur në mbështetjen e saj edhe në organizata e mekanizma të tjerë ndërkombëtar”.
“Më tej, Presidentja Osmani ka diskutuar me ambasadorin Soone për vizitën e saj në Estoni në pjesën e parë të qershorit, duk e konsideruar si një mundësi të mirë për vendosjen e bashkëpunimit në shumë sfera të interesit të përbashkët, e posaçërisht në atë të modelit transformues shtetëror të teknologjisë informative në ofrimin e shërbimeve për qytetarët për të cilën gjë ky shtet njihet në nivel global”, thuhet në kumtesë.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit bilateral./Insajderi.com