Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takojë sot përfaqësuesit e partive parlamentare me të cilët do të diskutohet për rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të parapara të mbahen më 17 tetor, njofton Shqip.com.
Pas ftesës së Osmanit, partitë politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, megjithatë, opozita po e kundërshton me çdo kusht opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve të 17 tetorit.
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-s Socialdemokrate, po e vlerësojnë si suspendim të demokracisë shtyrjen eventuale të zgjedhjeve.
Ndër të parët që nxori në pah idenë për shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të situatës me pandeminë, ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në anën tjetër, pikërisht në kohën e pandemisë janë mbajtur edhe zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.
Zyrtarë të afërt me presidenten kanë thënë se Vjosa Osmani nuk do të marrë vendim arbitrar për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
Takimi i ftuar për sot do të mbahet nga ora 17:00. /Insajderi.com