Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të ceremonisë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Tokio 2020, së bashku me liderë të tjerë botërorë është pritur nga Perandori i Japonisë, Naruhito.
Presidentja Osmani ka falënderuar Perandorin Naruhito për mikpritjen dhe për organizimin e Lojërave Olimpike, duke i uruar popullit japonez prosperitet dhe shëndet.
Gjatë pritjes së organizuar nga Perandori Naruhito, Presidentja Osmani pati një bisedë të shkurtër edhe me Presidentin francez, Emmanuel Macron, Zonjën e Parë të SHBA-ve, Dr. Jill Biden si dhe me përfaqësues të tjerë nga disa vende të botës.
Osmani, është pritur gjithashtu në takim nga ministri i Jashtëm i Japonisë, Toshimitsu Motegi, të cilit i ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës, në vazhdimësi.
Në një njoftim të dërguar për media, thuhet se në këtë takim, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të raporteve me Japoninë, duke e konsideruar këtë shtet, partner strategjik të Kosovës.
“Republika e Kosovës është partneri më i besueshëm në Ballkan i Japonisë, ndaj presim nga ajo mbështetje të mëtejme për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, respektivisht marrjen e njohjeve të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me ministrin Motegi.
Sipas, Presidentes Osmani, të dy shtetet mund ta rrisin bashkëpunimin, duke ftuar investitorët japonezë të investojnë në Kosovë. Ajo u shpreh se ka hapësirë të rritet bashkëpunimi edhe në fushën e arsimit, mbrojtjes, shëndetësisë, mjedisit etj., me ç’rast konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për angazhim të plotë në këtë drejtim./Insajderi.com