Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimeve se është sulmuar seksualisht një e mitur në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, përcjell Insajderi.
Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se është lindur nevoja të edukohen djemtë që të trajtojnë motrat e shoqet e klasës si të barabarta, e me respektin e dashurinë që ato e meritojnë.
“Është koha e fundit të luftojmë mendësinë ku vajzat vazhdimisht ngacmohen e rriten me idenë që duhet të mbrohen, të kenë kujdes, e të privohen. Tani, si kurrë më parë, është koha të edukojmë djemtë tanë të trajtojnë motrat e shoqet e tyre të klasës si të barabarta me ta, e me respektin dhe dashurinë që ato e meritojnë”, thuhet në postimin e saj.
Ajo tutje ka bërë të ditur se është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilët sipas saj, kanë premtuar se po e trajtojnë çështjen me seriozitet.
“Është përgjegjësi e jona kolektive për të punuar me ngulm që raste të tilla të mos përsëritën. Ne duhet të krijojmë siguri maksimale për vajzat e djemtë tanë, kudo që ndodhen ata: në rrugë, apo në shkollë. Siguria për ta është investim në të ardhmen e tyre”, ka shkruar Presidentja e vendit./Insajderi.com