
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka refuzuar ta vendosë në rend të ditës propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për të votuar dy projektligje rreth masave të reja kufizuese.
Pas propozimit të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamzës, për të vendosur këto dy projektligje në rend të ditës, kryetarja Osmani ka refuzuar kërkesën e PDK-së.
“Unë nuk kam mundësi që ta vendos një mocion të tillë në votim sepse është thirrur për diçka tjetër. Një sqarim shtesë. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë qartë se Kuvendi mund të nxjerrë ligje për masat kufizuese. Në mbledhjen e fundit të kryesisë unë i kam bërë një sërë propozimesh që Kuvendi ta votojë sa më urgjent ligjin për kufizimet”, ka thënë Osmani.
Hamza kërkoi paraprakisht që të votohet ky mocion nga deputetët e Republikës.
“Bazuar në situatën në të cilën është vendi. Këto dy projektligje i plotësojnë kushtet që të futen në seancën e sotme. Ne me qëllim që t’i ndalim në ndihmë qytetarëve të Kosovës, dhe kjo çështje e kalon nivelin e një partie politike, por Kuvendi nuk ka problem të marrë nisma ligjore”, ka thënë Hamza. /Insajderi.com