Osmani-Selimit: Duhet të ndaloni qasjen e akuzave dhe ofendimeve ndaj deputetëve

Osmani-Selimit: Duhet të ndaloni qasjen e akuzave dhe ofendimeve ndaj deputetëve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, për qasje jo të duhur karshi disa deputetëve gjatë seancës së sotme plenare, njofton Insajderi.

Osmani i tha Selimit se “ në vend që t’i akuzoni deputetët që nuk e lexojnë kodin, duhet të uleni dhe të punoni bashkë me ta”, derisa kërkoi nga ai që të ndalojë qasjen e akuzave dhe ofendimeve ndaj deputetëve, sidomos kur flitet për një projekt të rëndësishëm, siç është projekti për Kodin Civil.

Madje, ajo i mori atij një shembull, në kohën e qeverisjes PDK-LDK, dhe qasjen që patën disa ministra karshi deputetëve për projektligjet që i dërguan në Kuvendin e Kosovës.

“Po ju tregoj një shembull, në kohën e qeverisjes LDK-PDK ka qenë qeveri e dy të tretave dhe njëra nga ministritë i ndërronte ministrat shpesh. Dhe kur erdhi një ministër i ri dhe procedoi një projektligj duke menduar se i ka dy të tretat, i akuzoi deputetët që nuk dinë të lexojnë. Me këtë qasje, ai ministër mori dy vota. As votat e partisë së tij nuk i mori në fund. Para tij ishte një ministre që për secilin veprim konsultohej me deputetët, dhe a e din sa vota i merte ajo ministre, që të gjitha”, tha Osmani.

Pas kësaj reagoi edhe ministri Selimi, i cili iu drejtua Osmanit se këshillën e saj do ta marrë seriozisht, mirëpo se sipas tij, disa deputetë po bëjnë politike me këtë projekt-kod civil, në të cilin kanë punuar edhe ministrat para tij.

“Njihemi që një kohë, dhe këshillën tënde do ta marr seriozisht. Unë kam qenë në çdo mbledhje të komisionit, jam i rregullt, unë e kuptoj parlamentarizmin, e ndjek dhe mundohem që t’i shtyej projektet nacionale. Në projekt ka punu ministri Tahiri, ministrja Haxhiu dhe mendoj që duhet t’i lëmë anash ndarjet. Nuk besoj që duhet të bëhet një politikë që i humb mbi 1 mijë e 600 nene, kur tri ose katër nene mund të ndryshohen mes dy leximeve”, tha ai. /Insajderi.com