Osmani: Serbia duke mos e pranuar fajin për gjenocid po e mban peng dialogun

Osmani: Serbia duke mos e pranuar fajin për gjenocid po e mban peng dialogun

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se mos-pranimi i fajit nga Serbia për gjenocid në Kosovë “po e mban peng dialogun”.

Ajo gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës në seancën për nderim të viktimave të gjenocidit tha se “paqja është e mundur vetëm atëherë kur thuhet dhe pranohet e vërteta”

“Ky është pengu i cili e mban të varur dialogun, pra mos-pranimi i fajit nga Serbia, mbajtja peng e mbi 1600 qytetarëve tanë si të zhdukur me dhunë, e mbi të gjitha mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit serb. Por ne nuk mund të heshtim e nuk do të rreshtim së punuari që paqja të mbretërojë në të gjitha hapësirat që jetojmë sepse ky është interes i qytetarëve tanë e interes i yni strategjik. E paqja është e mundur vetëm atëherë kur thuhet dhe pranohet e vërteta”.

Osmani theksoi se janë të gatshëm të arrijnë marrëveshje me Serbinë vetëm me njohje të ndërsjellë.

“Jemi të vendosur që të bisedojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit të brendshëm”, tha Osmani. /Insajderi.com