Osmani: Serbia po destabilizon edhe Bosnjën e Malin e Zi

Osmani: Serbia po destabilizon edhe Bosnjën e Malin e Zi

Ushtruesja e detyrës së Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia po deklarohet pro bashkëpunimit rajonal, por një gjë e tillë nuk po shihet në praktikë nga ana e saj në zbatimin e marrëveshjeve, transmeton Insajderi.

Sipas saj, në këtë mënyrë Serbia po shkakton destabilizim edhe në vendet e rajonit në Ballkan, duke përmendur kështu Bosnjën e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

”Argumentet tjera kanë të bëjnë me procesin e Integrimit Europian. Një gjë duhet ta dijmë, ka një sërë iniciativash rajonale që më herët janë iniciuar, që janë bërë në mbështetje të plotë, edhe të vendeve siç është Gjermania. Në procesin e Berlinit, kanë filluar disa prej këtyre iniciativave, të tjerat kanë ekzistuar edhe më herët. Problemi themelor gjithmonë ka qenë i njëjti, nuk ka qenë mungesa e gatishmërisë së Kosovës, por ka qenë mospërmbushja e obligimeve që kanë dalë nga këto iniciativa nga ana e Serbisë”, ka thënë ajo, raporton KK.

”Pavarësisht se çfarë ka nënshkruar Serbia, qoftë në procesin e Berlinit, ata në praktikë e kanë bërë të kundërtën. Pra fakti që CEFTA kërkon që të eleminohen barrierat, kurse Serbia vazhdon të paraqes qindra barriera edhe jotarifore në raport me mallrat e Kosovës, duke krijuar kështu një disbalanc total tregtar mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo tregon se ata nënshkruajnë kot iniciativa rajonale. Ata e bëjnë sa për sy e faqe, e bëjnë për të treguar se kinse janë pro bashkëpunimit rajonal përderisa në të njëjtën kohë, destabilizojnë Kosovën, destabilizojnë Bosnjën, destabilizojnë Malin e Zi dhe tentojnë të paraqiten kinse fqinj të mirë kinse nuk janë. Nuk është problemi tek mungesa e iniciativave, problemi është që në ato iniciativa ne e kemi një shtet, që bllokon gjithçka dhe i cili nuk iu përmbahet asnjërës prej këtyre premtimeve”, shtoi tutje Osmani. /Insajderi.com