Osmani – Shefit të BE’së: Askush nuk ka mandat që ta rinegociojë kushtetutën tonë

Osmani – Shefit të BE’së: Askush nuk ka mandat që ta rinegociojë kushtetutën tonë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, sot ka mbajtur një takim virtual me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropës në Kosovë, Tomáš Szunyog, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë në relacionet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, njofton Insajderi.

Osmani ritheksoi se për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nevojitet bashkërendim dhe unifikim i qëndrimeve të tërë spektrit politik në Kosovë.

“Në mënyrë që marrëveshja që do të arrihej në Bruksel të gjejë implementim dhe të konsiderohet e pranueshme në vendin tonë, konsideroj që duhet të punohet në mënyrë aktive drejt unifikimit të qëndrimeve dhe kërkesave të tërë spektrit politik në vend”.

“Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe e tillë që e respekton Kushtetutën e vendit tonë, integritetin territorial dhe parimin e unitaritetit të shtetit. Askush nuk ka mandat që ta rinegociojë kushtetutën tonë e cila tashmë në vetvete përfshinë shumë koncesione”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani. /Insajderi.com