Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar të premten mbrëma Darkën e Lamës, një traditë e filluar nga presidenti Ibrahim Rugova.
Kryeparlamentarja, tha se kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit.
“Darka e sivjetme mbahet në rrethana të rënduara për shkak të pandemisë. Këto rrethana na mbajnë më larg njëri-tjetrit fizikisht, por me karakterin e saj, do të na e rikujtojë se sa i rëndësishëm është besimi në njëri-tjetrin, në miqtë tanë, të cilët na janë gjetur përkrah në ditë të vështira e në ditë të mira, kanë ndarë me ne gëzimin e hidhërimin dhe e kanë përcjellë bashkë me ne lutjen për të mirat e motmotit”, tha Osmani.
Osmani ka falënderuar kultivuesit dhe prodhuesit vendorë për “bereqetin e këtij viti”.
“Darka e sivjetme përveç tjerash synon promovimin e prodhimeve vendore. Prandaj, ne kemi shtruar sonte sofër pikërisht me këto prodhime nga duart e tyre të vyera dhe do t`i ndajmë miqësisht me ju, sepse kështu ndajmë edhe jetën tonë sociale me njëri-tjetrin”, theksoi Osmani. /Insajderi.com