Osmani si ushtruese e detyrës së Presidentes: Veprimet e Speciales janë rrjedhojë e obligimeve që Kosova ka pranuar

Osmani si ushtruese e detyrës së Presidentes: Veprimet e Speciales janë rrjedhojë e obligimeve që Kosova ka pranuar

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj të parë në këtë pozitë ka thënë se gjatë kësaj kohe kërkohet një lidership i fuqishëm, njofton Insajderi.

Ajo tutje ka shtuar se duhet të ushtrohet përgjegjësi institucionale dhe të forcohet qëndrueshmëria e shtetit, pasi që shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar ato me dinjitet.

“Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet dhe besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët – Republikës sonë.

“Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit, prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë, sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar ato dinjitetshëm”. ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, veprimet e Speciales janë si rrjedhojë e obligimeve që Kosova ka pranuar.

“Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e Dhomave të Specializuara, janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare”.

“Dua t’iu shpreh vlerësimin tim të gjithë atyre që kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione dhe i janë përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara duke dëshmuar kështu besim të palëkundur në drejtësi”, ka thënë tutje ajo. /Insajderi.com