Osmani takon ambasadorin Rohde, për nder të ditës së Bashkimit të Gjermanisë

Osmani takon ambasadorin Rohde, për nder të ditës së Bashkimit të Gjermanisë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin gjerman, Joern Rohde, me ç’rast edhe ka uruar atë dhe popullin gjerman për 3 tetorin, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, njofton Insajderi.

Në këtë takim Osmani ka thënë se 30 vjetori i bashkimit të të dy Gjermanive përbën frymëzim dhe model për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave demokratike.

“Teksa sot gjermanët kremtojnë, ndonëse me sheshe më pak të mbushura , shkaku i pandemisë, ne bashkohemi me ta për të festuar këtë 30 vjetor dhe për të rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimësinë e miqësisë dhe lidhjes së fortë mes popullit të Kosovës dhe popullit të Gjermanisë”, është shprehur ajo.

Sipas kryekuvendares, tre dekada më parë, Gjermania ishte prijetare në zhvillimin politik e ekonomik sepse gjermanët treguan guximin dhe vendosmërinë për të përqafuar vlerat më sublime të demokracisë. /Insajderi.com