Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka pritur në takim Grupin e fëmijëve “Respect Our Rights” dhe Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), njofton Insajderi.
Përfaqësues të grupit ROR e kanë njoftuar Osmanin në lidhje me gjendjen e gjithmbarshme të pozitës së fëmijëve në Kosovë, duke kërkuar mbështetje për përmirësimin e mëtejmë të pozitës së tyre.
Ulja e varfërisë te fëmijët, mbrojtja sociale e tyre, rritja e cilësisë në arsim, zhvillimi në fëmijërinë e hershme dhe parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve, janë çështjet të cilat, përfaqësues të KOMF-it i ngritën në takim me Presidenten Osmani, duke kërkuar angazhim më të madh të shtetit për më të vegjlit.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë të Presidencës, në takim me këto dy organizata, Osmani ka theksuar se përgjatë mandati pesë vjeçar, një nga prioritetet e angazhimit të saj do të jetë pikërisht fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
“Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se për ta përmirësuar pozitën e fëmijëve duhet rritet investimi dhe cilësia në arsim, të prioritizohet edukimi i hershëm si dhe të zhvillohen reforma në planin afatgjatë”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com