Osmani takon të ngarkuarën me punë nga Luksemburgu, i kërkon përkrahje për sigurimin e vaksinës

Osmani takon të ngarkuarën me punë nga Luksemburgu, i kërkon përkrahje për sigurimin e vaksinës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim të ngarkuarën me punë nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes, përcjell Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, Osmani ka falënderuar Luksemburgun për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, sidomos në fushën e shëndetësisë.

Presidentja në detyrë po ashtu ka theksuar domosdoshmërinë e menaxhimit dhe luftimit të pandemisë, duke kërkuar përkrahje në sigurimin sa më të shpejtë të vaksinës anti-COVID.

“Ushtruesja e detyrës së presidentes ka konfirmuar përkushtimin e saj për të rritur nivelin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me shtetin e Luksemburgut, duke theksuar se Republika e Kosovës do të jetë partner i besueshëm që synon edhe më tej thellimin e raporteve me Luksemburgun në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, bëhet e ditur se Gomes ka uruar Osmanin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe është shprehur e kënaqur me inicimin e procedurave për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke potencuar rëndësinë e krijimit të tyre në funksion të stabilitetit institucional dhe qeverisjes së mirë.

Ajo po ashtu ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj për të vazhduar partneritetin mes Luksemburgut dhe Republikës së Kosovës, duke e avancuar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet të të dy shteteve./Insajderi.com