Osmani takon të parin Kurtin, më pas Mustafën, Krasniqin e Haradinajn

Osmani takon të parin Kurtin, më pas Mustafën, Krasniqin e Haradinajn

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sot, e martë, nga ora 13:00, fillon takimet me liderët e partive politike për t’u konsultuar rreth mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Burimet e Gazetës Online Insajderi brenda Presidencës thonë se takimi i parë i Osmanit do të zhvillohet me kryetarin e partisë më të madhe opozitare, atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Se takimi i tyre do të nisë nga ora 13:00, për Insajderi-n e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili shtoi se “Kurti do t’i përgjigjet kësaj ftese”.

Takimi i dytë i Osmanit me liderët politikë, pritet të fillojë nga ora 14:00 me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për të cilin ende nuk dihet nëse do t’i shkojë në takim Osmanit.

Një ftesë zyrtare thuhet t’i është dërguar edhe Partisë Demokratike të Kosovës, që takimi me Osmanin të nisë nga ora 15:00, ndërsa nga kjo parti ftesës ka zgjedhur t’i përgjigjet nënkryetari Memli Krasniqi.

Këtë e ka bërë të ditur për Insajderi-n, zëdhënësi i këtij subjekti politik, Avni Bytyçi, i cili shkurtimisht tha se “Memli Krasniqi merr pjesë në takim nga PDK-ja”.

Ndërsa, një orë më vonë, Osmani ka kërkuar të takohet edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Këto takime do të zhvillohen pas vendimit të mbrëmshëm të Kushtetues se Qeveria e Avdullah Hotit është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më tre qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu ka konstatuar se “Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave”  dhe se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses. /Insajderi.com