Osmani thotë se me LDK-në ka përfunduar gjithçka

Osmani thotë se me LDK-në ka përfunduar gjithçka

Kryetarja e Kuvendit të kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është ndarë përfundimisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partia prej nga vjen ajo, njofton Insajderi.

Osmani u shpreh se është shumë vonë për LDK-në të kërkojë mbështetje nga ajo në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ndërkaq ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Natyrisht që po, përgjigja konkrete e saj është vendimi i tyre i 20 qershorit për t’më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, tha ajo.

Kryeparlamentarja Osmani pasi mori pjesë në një aktivitet të hënën për ndihmën juridike falas para gazetarëve tha se ky bashkëpunim do të konkretizohet më vonë.

“Ne jemi në kontakt dhe bisedojmë për tema të ndryshme të bashkëpunimit se si do të konkretizohet ky bashkëpunim në të ardhmen do t’iu njoftojnë në momentin që do të konkretizohet”, tha ajo.

Ndryshe, para disa muajve Osmani është shkarkuar nga detyra e saj si nënkryetare e LDK-së dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm, pasi siç u tha nga kryesia e partisë nuk kishin qëndrime të njëjta. /Insajderi.com