Osmani: Gjuha e urrejtjes nga serbët ndaj shqiptarëve ka mbizotëruar gjatë tërë historisë

Osmani: Gjuha e urrejtjes nga serbët ndaj shqiptarëve ka mbizotëruar gjatë tërë historisë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani është shprehur se gjuha e urrejtjes së popullit serb ndaj shqiptarëve ka qenë mbizotëruese gjatë tërë historisë.

Sipas saj, vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd për ta refuzuar dënimin e Vulin, është një njollë në historinë e humnerës së qeverisë serbe.

“Kjo duhet të jetë një hapje sysh për të gjithë ata që kanë shpresuar se Serbia do përmirësohej”, ka shkruar Osmani.

Ndërkohë, deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, të hënën tha se me këtë vendim është institucionalizuar fyerja ndaj shqiptarëve.

“Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”, kishte thënë Kamberi./Insajderi.com