Osmani: Votimi për transformimin e FSK-së në ushtri, shënohet në historinë e re të vendit

Osmani: Votimi për transformimin e FSK-së në ushtri, shënohet në historinë e re të vendit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se 14 dhjetori i vitit 2018 dhe votat e deputetëve për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri të shtetit, do të mbeten në historinë e re të vendit, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka kujtuar momentin kur deputetët votuan pro ndryshimeve ligjore për këtë transformim.

Dy vite më parë, 106 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro ndryshimeve ligjore që i hapnin rrugë transformimit të FSK-së, në ushtri të shtetit dhe me ç’rast u themelua edhe Ministria e Mbrojtjes.

Osmani vendimin e deputetëve e ka quajtur një ndër momentet më kulminante, duke theksuar se transformimi i FSK-së në ushtri, ka qenë përpjekje e përbashkët për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.

“Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO”, ka thënë Osmani. /Insajderi.com