Osmani zhvilloi diskutim me Forumin për Lidership dhe Diplomaci

Osmani zhvilloi diskutim me Forumin për Lidership dhe Diplomaci

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një diskutim me Forumin për Lidership dhe Diplomaci, i përbërë nga gra e vajza, i cili synon avancimin e tyre të mëtutjeshëm në vendimmarrje, njofton Insajderi.

Osmani i ka përgëzuar vajzat dhe gratë, teksa ka thënë se prezenca e tyre në Kuvendin e Kosovës është mundësi e mirë për të parë nga afër mënyrën se si funksionin ky institucion.

Sipas Osmani duhet të ekzistojë një lidhje e vazhdueshme ndërmjet deputetëve dhe qytetarëve, përgjatë gjithë mandatit, porse nuk duhet lejuar të ketë ndërprerje të këtij komunikimi siç ndodh shpeshherë.

Kryetarja Osmani ka potencuar rëndësinë e angazhimit të secilit për barazinë gjinore, duke shtuar se shoqëria kosovare ndodhet në fillim të këtij procesi.

“Vështirësitë përgjatë këtij procesi nuk duhet nënkuptojnë dorëzim, por mobilizim për ta dërguar kauzën përpara”, ka inkurajuar kryetarja Osmani gratë dhe vajzat.

Pjesëmarrëset kanë falënderuar zonjën Osmani për ngritjen e zërit kundër dhunës në familje dhe miratimin e Konventës së Stambollit, e cila e kompleton edhe më shumë infrastrukturën ligjore në funksion të mbrojtjes së të drejtave të grave e vajzave.

Kryetarja e Kuvendit është falënderuar nga gratë e vajzat pjesëmarrëse, duke u konsideruar grua model për arritje në politikë dhe për menaxhim të suksesshëm të njërit nga institucionet më të rëndësishme shtetërore.​/Insajderi.com