Osmani përkujton vrasjen e Tahir Zemajt

Osmani përkujton vrasjen e Tahir Zemajt

Presidentja në Detyrë, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 18 vjetorin e vrasjes së Tahir Zemajt, njofton Insajderi.

Tahir Zemaj ishte vrarë në hyrje të Pejës më 4 janar të vitit 2003. Vrasja e tij ende nuk është zbardhur.

“Ne humbëm një komandant lufte të shkolluar dhe një veprimtar të shkëlqyer, si dhe dy djem në lulen e rinisë, vetëm pse i njohën dhe i respektuan institucionet e vendit të ndërtuara nga Presidenti Rugova dhe nuk u nënshtruan para kërcënimeve. Për më tepër, vrasja e tyre, sikur edhe e shumë veprimtarëve të tjerë, mbeti sot e kësaj dite e pazbardhur”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani, tha se nuk mjafton vetëm “thirrje për drejtësi”, por ndërtimi i shtetit ligjor që do të vendoste “drejtësinë në vend”.

“Andaj, derisa e rikujtojmë sot këtë humbje të madhe, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për drejtësi, por duhet t’ia kujtojmë vetes po ashtu se është detyrim yni që të bëjmë shtet ligjor, i cili i mbron qytetarët e vet dhe e vendos drejtësinë në vend për krimet e kryera, të çfarëdo kohe qofshin ato”.

“Vepra e komandant Zemaj mbetet e shënuar në historinë e Kosovës dhe gurëthemel i përpjekjeve për pavarësi”, përfundoi Osmani. /Insajderi.com