Shfaqja “Bordel Balkan” me regji të regjisorit të njohur serb Andras Urban dhe tekst të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, e cila është pararparë të shfaqet nesër ka zëmëruar drejtues të Organizatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës.
Drejtuesit e kësaj organizate e kanë kërcënuar edhe me jetë dramaturgun Neziraj, me pretendimin se teksti i shfaqjes është denigrues për UÇK-në. Kurse përmes një komunikate për media i kanë bërë thirrje publikut ta bojkotojë shfaqjen.
“Ky reagim vjen si rezultat i informacioneve që kemi Ne, se shfaqja është denigruese për Luftën e UÇK-së, dhe bastardohen vlerat tona kombëtare, por edhe si rezultat që kishim sot një takim me autorin e të ashtuquajturës shfaqje, i cili edhe pas kërkesës sonë, nuk na tregoj skenarin”.
“Ju bëjmë thirrje që mos të merrni pjesë në këtë shfaqje përqeshëse për vlerat tona kombëtare, sepse ne nesër si veteran të luftës së UÇK-së, do ta pengojmë për t’u shfaqur”, thuhet më tej në njoftim.
Lidhur me këtë ka reaguar vet dramaturgut Jeton Neziraj, duke thënë se nuk e ka të qartë përse OVL ndihen të fyer, kur shfaqja akoma nuk është dhënë para publikut.
“Ky reagim i parakohshëm lë të nënkuptohet se ata janë të manipuluar nga dikush që dëshiron që me këtë shfaqje të prodhojë një skandal të përmasave të pariparueshme dhe synon ta kthejë këtë vend në terrinë, ku, ndër të tjera, edhe standardet dhe vlerat estetike teatrore kontrollohen e caktohen nga jo-profesionistët”, tha Neziri për gazetën Express.
Ai ka treguar se një grup prej 8 personave nga kjo shoqatë e kishin vizituar në Teatrin Kombëtar të cilët thotë se i kanë bërë me dije se nesër do ta pengojnë mbajtjen e premierës.
“Ata, ndër të tjera, më kërcënuan edhe me jetë”, ka thënë Neziri. /Insajderi.com