“Beteja kryesore e Lidhjes Demokratike të Kosovësv në zgjedhjet e 17 tetorit është në Prishtinë”.
Kështu ka deklaruar të enjten mbrëma nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se nëse partia e tij s’e fiton kryeqytetin, fitoret e mundshme në komunat e tjera s’janë rikthim i partisë.
“LDK ka pasur kuadro në Prishtinë, kuadro aktive dhe shembulli më i mirë është kandidatura e Arban Abrashit i cili për shkak të 200 votave nuk arriti ta marrë zyrën e kryetarit të kryeqytetit. Por, është mundësi e mirë me kapitalizu rikthimin e madh të LDK-së sepse pa u kthye në Prishtinë LDK-ja, janë beteja të vogla ato që i fiton”, tha Haziri në RTV Dukagjini.
Ai është i bindur se kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, do të shkojë në balotazh në kryeqytet.
“Në Prishtinë, jam i bindur që kandidati ynë ka me ditë me plasu politikisht rolin e tij dhe mandatin e LDK-së me një garë në balotazh që s’ka me qenë e lehtë”, theksoi Haziri, kryetar i Gjilanit, njëherësh kandidat i LDK-së për të rimarrë këtë post.
Në garë për Prishtinën në zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Rama i LDK-së, Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa nga Aleanca Kosova e Re është Selim Pacolli, aktualisht nënkryetar i kryeqytetit./Insajderi.com