
Kompania IPKO ka thënë se disa prej shërbimeve të kompanisë të cilat patën probleme gjatë të mërkurës, janë kthyer në gjendje të rregullt. Megjithatë, IPKO ka konfirmuar se ende vazhdojnë problemet me shërbimet e internetit.
Përmes një komunikate për media, IPKO ka thënë se problemet e kompanisë janë shfaqur gjatë pasditës së të mërkurës, edhe pse probleme me disa shërbime të kompanisë ka pasur edhe gjatë mbrëmjes së të martes.
“Në orët e pasdites, janë shfaqur disa pengesa në shërbimet tona. Shumica e shërbimeve të afektuara, janë kthyer menjëherë në gjendje të rregullt, përderisa pengesat vazhdojnë të qëndrojnë në shërbimet fikse të internetit”, ka thënë IPKO.
Kompania e telekomunikacionit ka deklaruar se inxhinerët e IPKO-s janë duke punuar për zgjidhjen e problemeve.
“Inxhinierët tanë janë duke punuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të pengesave në shërbimet e afektuara. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin dhe ju falenderojmë shumë për durimin dhe mirëkuptimin tuaj”, thuhet në komunikatën e IPKO-s.
Problemet me shërbimet e njërër prej kompanive kryesore të telekomunikacionit në vend kanë ngjallur pakënaqësi tek qytetarët, të cilët kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj kompanisë në rrjetet sociale. /Insajderi.com