Pa NATO-n por me Amerikën – Ushtria e Kosovës, çka pritet të ndodhë këtë javë

Pa NATO-n por me Amerikën – Ushtria e Kosovës, çka pritet të ndodhë këtë javë

Kundërshtimet nga NATO dhe përkrahja nga Amerika, ishin zhvillimet kryesore të javës që po lëmë pas.

Kjo temë diskutimi pritet të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave, ku më 14 dhjetor është paraparë votimi i Ushtrisë së Kosovës.

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg fillimisht tha se Kosova do të ketë pasoja nëse e formon Ushtrinë pa përkrahjen e kësaj force, shkruan Gazeta Insajderi.

Një gjë të tillë Stoltenberg ia tha edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një diskutimi në telefon.

“Me zotin Haradinaj ngrita çështjen e planit për të vazhduar transformimin e FSK-së në ushtri. Theksova se tani nuk është një moment i duhur për një veprim të tillë dhe është në kundërshtim me këshillat e shumë anëtarëve të NATO-s. Dhe se kjo mund të ketë ndikim negativ në integrimet euroatlantike të Kosovës. Gjithashtu përsërita se nëse mandati i FSK-së do të zhvillohet, NATO do të duhet të vlerësojë nivelin e angazhimit me FSK-në”, thuhej në kumtesën e NATO-s.

Por kritikat nga NATO nuk e zmbrapsën kryeministrin Haradinaj. Ai gjatë kësaj bisede në telefon me NATO-n theksoi se është vendim i Kosovës krijimi i Ushtrisë.

“Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, kishte shkruar Haradinaj në facebook.

Në përkrahje Kosovës i doli dhe ambasadori i ri amerikan, Kosnett. Ai tha se është e drejtë e secilit shtet që ta ketë Ushtrinë e vetë.

“Do të punoj në mënyrë që Kosova të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Si çdo vend tjetër, edhe Kosova e ka të drejtën e vet sovrane t’i ndërtojë forcat e saj të armatosura për mbrojtjen e vet. Shtetet e Bashkuara mbështesin tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri ndërvepruese në NATO, me mandat mbrojtës të limituar”, kishte thënë Kosnett.

E seanca për votimin e Ushtrisë tashmë është caktuar për 14 dhjetor. Pikërisht me këtë ditë do të mbahet edhe një ceremoni në kazermën e FSK-së.

Për Ushtrinë e Kosovës dje u publikuan edhe fotografi të automjeteve amerikane ushtarake.

Projektligjet për FSK-në janë përkrahur nga të gjitha partitë, veç Listës Serbe. /Insajderi.com