Pa pagesë të tatimit, fëmijët s’mund të regjistrohen në klasë të parë – sqarohet Komuna e Prishtinës

Pa pagesë të tatimit, fëmijët s’mund të regjistrohen në klasë të parë – sqarohet Komuna e Prishtinës

Fëmijët të cilët presin të regjistrohen në nivelin parafillor dhe në klasë të parë, në shkollat e Prishtinës, duhet të dëshmojnë pagesen e tatimit të qirasë si dokumentacion që është kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA).

Ende nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për familjet, të cilat nuk kanë pasur mundësinë që të kryejnë obligimin e tyre ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, mirëpo nga Komuna e Prishtinës thonë se e kanë për obligim që të regjistrojnë të gjithë fëmijët parafillor dhe ata që pritet të hyjnë në klasë të parë.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Prishtinës, thonë se strategjia e re, ku ndër dokumentacionet e kërkuara hynë edhe dëshmia nga ATK për familjet që jetojnë me qera në zona të caktuara të Prishtinës, ka ardhur si pasojë e mbingarkimit të shkollave fillore në qendër të kryeqytetit.

“Kemi menduar të bëjmë një strategji pasi që nuk kemi pasur zgjidhje tjetër, është obligimi ynë që prej klasës së parë deri në të pestën t’i sistemojmë të gjithë fëmijët, por duhet të sistemohen në lagjet e tyre”, thotë për redaksinë, Ardiana Hyseni nga DKA.

Sipas saj, kërkesa për të dëshmuar pagesën e tatimit në qira ka ardhur për shkak se nevojitet barazpeshim në të gjitha shkollat e vendit.

“Po ndodhin raste kur prindërit po paguajnë një dokument te noteri dhe po vijnë e po regjistrohen, ne nuk jemi ata që dalim për të verifikuar vërtetësinë e dokumentit, për këtë arsye e kemi kërkuar që të zvogëlohet numri nëpër shkollat e qendrës si ‘Dardani’, ‘Faik Konica’, ‘Ismail Qemaili’, ‘Hasan Prishtina’, të cilat po ngarkohen me nxënës, ndërsa shkollat e lagjes prej nga vijnë shumë fëmijë në qendër, po mbeten të zbrazëta me 15 apo 16 nxënës në klasë”, ka thënë ajo.

“Kemi menduar të bëjmë një barazpeshim që mos të vijnë nxënësit me transportues nga vende më të largëta, ndërsa shkollat e lagjes së tyre të jenë në mungesë të nxënësve”, thotë Hyseni duke shtuar se në këtë mënyrë nuk po respektohet udhëzimi administrativ, ku thuhet se në një klasë lejohen maksimalisht 32 deri në 35 nxënës.

E pyetur se si funksionon kjo strategji për familjet që iu kanë borxh ATK-së, Hyseni thotë se “personat të cilët nuk kanë paguar tatim në qira, nuk paraqet problem nëse tregojnë një dokument që kanë kryer pagesën e mbeturinave, rrymës apo diçkaje, në mënyrë që të vërtetohet adresa”.

Në të gjitha shkollat bazuar në udhëzimin administrativ ka filluar regjistrimi i nxënësve në klasë të parë dhe nivelin parafillor.

Sipas komunës, të gjitha shkollat janë të obliguara të kenë njoftimin në hyrje të shkollave në mënyrë që të njoftohen prindërit e komunitetit.

Redaksia ka siguruar një dokument lidhur me regjistrimin e nxënësve që pritet të ndjekin arsimin parashkollor dhe atë fillor për vitin 2021/2022.

Bazuar në njoftimin e shkruar, aplikimi për regjistrim bëhet duke caktuar termin nga ora 09:00 deri në orën 11:00, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e pandemisë COVID-19.

Prindërit të cilët synojnë që të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë për herë të parë, gjatë regjistrimit duhet të jenë të pajisur me ekstraktin e lindjes së fëmijës, librezën e vaksinimit, faturën e rrymës në emër të prindit që dëshmon adresën e banimit, faturën e ujit, kontratën nga noteri dhe dëshminë nga ATK që qeradhënësi dhe qeramarrësi paguajnë taksa (nëse familja banon me qera), i cili duhet të sillet në kopje nga origjinali. /Insajderi.com