Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) përmes një komunikate thotë se janë të shqetësuar me gjendjen e pacientëve pas hyrjes në grevë të stafit shëndetësorë.
“Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë. Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes ndërrimit të mënyrës së pagesës, përkatësisht duke e ndarë blerësin nga ofruesi i shërbimit shëndetësor dhe duke e aplikuar pagesën për përformancë”, thuhet në komunikatën e Shoqatës.
Sipas PRAK-ut, forma të tjera që janë aplikuar deri më tani, por edhe rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve, ajo ka mbetur e njëjtë edhe 20 vite pas luftës. Prandaj, e vetmja zgjidhje sipas tyre është që të ndahet blerësi nga ofruesi i shërbimeve shëndetësore, përkatësisht implementimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore.
“Është e pa pranueshme që stafi mjekësor t’i përdor pacientët si “mish për top” në “luftën” që ata po bëjnë me Qeverinë për rritjen e pagave të tyre. Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë, është i pa drejtë kur e dimë se ka masa të tjera që mund të përdoren, siç është psh. protesta”, thonë ata.
Sipas PRAK-ut, shqetësim është edhe fakti që një pjesë e stafit mjekësorë ka dalë jashtë organizimit sindikal.
“Për këtë i ftojmë organet e drejtësisë të nisin procedura gjyqësore, pasi që një grevë e tillë është e pa ligjshme dhe krijon anarki. Përmes kësaj komunikate, ju bëjmë thirrje përfaqësuesve sindikalë që ta ndërpresin grevën dhe Qeverisë së Kosovës të reflektoj ndaj kërkesave të grevistëve”, thuhet në komunikatë