Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, deklaroi hënën se partia e tij do të jetë “befasi për zgjedhjet e tetorit”.
Ai në emisionin “DPT e Fidani”, foli edhe rreth kandidaturës së tij për kryeqytetin si dhe kundërkandidatëve.
Për kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pacolli tha se nuk e sheh si kryetar të Prishtinës dhe për këtë ka disa arsye.
“Dikush mund të ketë edhe zili ai (Shpend Ahmeti) është student i Harvardit por edhe ka pasur çalime në punën e tij. Daut Haradinajn e vlerësoj, ka vlerat e veta e sidomos në fushën ushtarake, ka qenë deputet dhe nuk shoh diçka e cila nuk ecën. Është një pengesë se Haradinaj nuk është i Prishtinës. Nuk pres ndonjë mundësi që ai mund të jetë kryetar i Prishtinës”, tha Pacolli.
Ndërkohë, kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Ramën e ka quajtur “arkitekt të zoti”.
Arben Vitia përmendet si kandidat i mundshëm i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës. Por, çka thotë Selimi për Ministrin e Shëndetësisë?
“Kam pas rast të punojmë në komunë afërsisht dy vjet. Arbeni është një djalë i urtë, i vyshëm e i sinqertë. Por e kam një dyshim, sa është i gatshëm me i çua gjërat përpara pa e pas dikë prapa me shty”, shpjegoi Pacolli.
Ndërsa komente pati edhe për Uran Ismailin, kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës
“Urani ka pasur sukses i Ministër i Shëndetësisë. Është djalë i mirë, djalë urban”, theksoi ai./Insajderi.com