Pacolli apelon te Mustafa e Veseli për heqjen e Policës Kufitare

Pacolli apelon te Mustafa e Veseli për heqjen e Policës Kufitare

Kryesuesi i delegacionit kosovar për Kartonin e Gjelbër në Bruksel, dhe njëherësh drejtor i Përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, Rrahim Pacolli, i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa dhe kreut të Kuvendit Kadri Veseli, që ta heqin pagesën për Policat Kufitare për bashkatdhetarët, duke filluar nga muaji gusht. Në këtë drejtim ai ka kërkuar që Qeveria ta marrë përsipër barrën e pagesës së dëmeve që shkaktohen nga këto vetura.

Shembull të njëjtë Pacolli thotë se Qeveria e ka bërë për qytetarët që jetojnë në Luginë të Preshevës.

“Në qoftë se merret ky vendim për heqje të pagesës për Policë Kufitare, kjo do të ndikonte pozitivisht në përpjekjet tona për anëtarësim në Këshillin e Byrove dhe Kartonin e Gjelbër”, ka thënë Rrahim Pacolli, duke e cilësuar këtë veprim si lehtësim të madh të diasporën.

Nëse nuk hiqen Policat e Kufitare, ai shfaq rrezikun që kjo të ndikojë edhe në uljen e numrit të bashkatdhetarëve, të cilët, duke dashur t’u ikin procedurave të mëdha kufitare, zgjedhin destinacione tjera pushimi.

“Më lejoni të ju informoj se përfitimet e Qeverisë nga heqja e kësaj pagese do të jenë shumë  më të mëdha në krahasim me humbjet. Me heqjen e pagesës së Policës Kufitare automatikisht do të rritet numri i bashkatdhetarëve që do të vijnë në Kosovë dhe në këtë mënyrë buxheti i Kosovës brenda kësaj periudhe do të rritet për rreth 100 milionë euro, nga të cilat përfituesi më i madh është buxheti i Kosovës i cili mbushet nga TVSH-ja dhe tatimet tjera nga këto shpenzime të tyre, ndërkohë që të gjitha dëmet brenda vitit nga bashkatdhetarët tanë nuk e kalojnë  1.5 milion euro”, vlerëson Pacolli.

Ai ka apeluar që kjo kërkesë të shqyrtohet me seriozitetin më të madh dhe të merret vendimi sa më parë./Insajderi.com