Pacolli e pranon humbjen dhe ia uron “fitoren” kundërshtarit

Pacolli e pranon humbjen dhe ia uron “fitoren” kundërshtarit

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Kjo parti e cila në këto zgjedhje garoi në një listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, morën goditjen më të rëndë, pasi arritën vetëm 13.17 për qind të votave nga gjithsej 97.79 për qind sa janë numëruar deri tani.

Pacolli ka thënë se në demokraci është e rëndësishme të pranosh rezultatin dhe të përgëzosh kundërshtarin.

Ai ka thënë se pas certifikimit të rezultateve, është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i ri dhe të zgjidhet sa më parë Qeveria e re.

“Kur numërimi i votave po shkon drejt fundit, ne mund të konstatojmë se fituesi i zgjedhjeve është LVV. Në një demokraci, është e rëndësishme të pranosh rezultatin dhe të përgëzosh kundërshtarin.

Unë do të doja të falënderoja të gjithë qytetarët e vendit që vendosën edhe një herë një standard të lartë në këtë proces zgjedhor, pa ndonjë incident dhe me dalje të lartë”, ka shkruar ndër të tjera i pari i AKR-së./Insajderi.com