
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Pacolli ka vlerësuar Ramën për veprimin që ka ndërmarr për të reduktuar edhe numrin e ministrive.
“E uroj kryeministrin Edi Rama për kabinetin e ri qeveritar të cilin e prezantoi. Emra dinjitoz dhe profesionistë të vërtetë”, ka shkruar ai në facebook.
Pacolli ka lavdëruar kryeministrin Rama për zvogëlimin e numrit të ministrive, për të cilën thotë se e ka ëndërr ta bëjë.
“Veprim jashtëzakonisht i qëlluar reduktimi i ministrive nga ana e tij, në favor të efiçencës, zvogëlimit të shpenzimeve dhe eliminimit të burokracisë. Kjo është një ëndërr e imja të cilën nuk kam pasur mundësi ta realizoj ende”, ka shtuar ai.
“Në Kosovë gjithashtu duhet të zvogëlojmë numrin e ministrive. Kosova do të menaxhohet suksesshëm me vetëm 8 departamente efektive, me njerëz profesionistë dhe administratë të përgjegjshme”, ka shkruar më tej Pacolli.
Ai ka thënë se Edi Rama e bëri në Shqipëri atë që duhet ta bëjmë edhe ne në Kosovë.