
Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, deklaroi të martën se ndihet “i frikësuar” se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të nënshkruhet ashtu siç ka kërkuar Serbia.
Ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se “i mungon transparenca”.
Ndërsa, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit në fund të muajit shtator, ka pohuar se është “tymnajë e tepruar”.
“Krejt ky tym që është ngritur për një gjë, për shumë pak mish në zgarë, më duket e tepruar. Unë e pyes veten kur do të kthehet policia jonë. KFOR në pikat kufitare, është një fjalim i z. Kurtit në Parlamentin e Kosovës, ku kam qenë prezent ku ka folur: shkuarja e KFOR-it, serbizim i anës atje”, është shprehur Pacolli në një intervistë për Euronwes.
Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë, ka thënë se “Kurti kryeministër, kundërshton Kurtin opozitar”.

Albin Kurti dhe Behgjet Pacolli
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se është e “frikësuar” se Qeveria e Kosovës mund ta pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, veçanërisht pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.
Sipas tyre, ekzekutivi po bën hapa prapa në dialog dhe me këtë qasje po rrezikon krijimin e një entiteti serb me fuqi ekzekutive./Insajderi.com