Pacolli i reagon kryeparlamentares Osmani, thotë se është kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi

Pacolli i reagon kryeparlamentares Osmani, thotë se është kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar nga kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila gjatë takimit me ambasadoren finlandeze Pia Stjernval, ka thënë se çfarëdo marrëveshje përfundimtare që arrihet me Serbinë, duhet të kalojë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, njofton Insajderi.

Lidhur me këtë deklaratë, Pacolli ka thënë se kryeparlamentarja Osmani nuk e do marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Këtë herë po i drejtohem Kryetares së Kuvendit, Znj. Vjosa Osmani, Kryetare, sa herë që jeni deklaruar (shpesh ka ndodhur) në një veprim të Kryeministrit Hoti (i cili në të vërtetë konsiderohej si një hap drejt një marrëveshje me Serbinë), ju keni thënë; ‘Marrëveshja duhet të kalojë në kuvend’. Kjo duket sikur se ju nuk e doni këtë marrëveshje”, ka shkruar Pacolli në një postim në “Facebook”.

Sipas tij, deklaratat e kryetares së Kuvendit duken si kërcënim se ajo marrëveshje nuk do të kaloj në kuvend.

“Si duket, ju po betoheni që kjo marrëveshje nuk do të kaloj në Kuvend. Kryetare, mendoni pozitivisht!! Leni anash inatet politike! Kosova nuk mundet më kështu! Kosovës i nevojitet marrëveshja!! Pozicioni juaj (në përgjithësi) është i ndryshëm nga ai i popullatës së Kosovës e cila sot vuan nga varfëria, papunësia, privimi i lëvizjes së lirë, getoizimi i vendit, etj që varen ekskluzivisht nga paqësimi në rajon”, ka shkruar Pacolli në postimin e tij. /Insajderi.com