fbpx

Pacolli lavdëron Vuçiqin

Pacolli lavdëron Vuçiqin

Ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli nuk ka kursyer fjalët e mira kur ka folur për politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq karshi Kosovës, duke iu referuar deklaratave të tij të fundit në Serbi që qytetarët atje duhet të jenë të përgaditur se Kosova nuk mund të fitohet ashtu sikurse është menduar deri më tani.

E Pacolli ka thënë për Radio Evropën e Lirë në fund të ditës së parë të vizitës në Bruksel, se do të ishte njeriu më i lumtur nëse mes Kosovës dhe Serbisë arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Jam optimist për një marrëveshje sepse z.Vuçiq hapi mundësi të shumta dhe duhet ta përdorim çdo gjë të mirë për të marrë dhe analizuar dhe të punojnë me këto mundësi”, ka thënë Pacolli.

Ai më pas ka thënë se “vetëm dialogu i sinçertë mund të pajtojë dy vendet” teksa është shprehur se “ai do të ishte njeriu më i lumtur në qoftë se një ditë këto dy vende qetësohen”, citohen të kenë thënë Pacolli sipas Radios Evropa e Lirë në gjuhën boshnjake.

Pacolli gjatë ditës u takua me deputetë evropian dhe zyrtarë të lartë evropian. Të premten Pacolli do të takohet me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Mogherini./Insajderi.com