Pacolli motivon studentët: Edhe unë kam qenë i varfër

Pacolli motivon studentët:  Edhe unë kam qenë i varfër

Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, ka mbajtur një ligjëratë para shumë te pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.

Pacolli ka folur për jetën e tij qysh nga fëmijëria e deri tani. Ai ka kujtuar kohën kur ka qenë  fëmijë. Pacolli ka thënë para studentëve se ka lindur në një familje të varfër fshatare, por gjithë ëndrrat e tij kanë qenë për një të ardhme më të mirë dhe ka besuar se mund t’ia arrijë në jetë realizimin e ëndrrave.

Ai thotë se në vitin 1990 ka filluar nga zero biznesin e parë të dhe ka pasur një sukses të mirë, duke iu bërë thirrje studentëve që asnjëherë të mos heqin dorë.

“Në jetë çdo gjë është e mundur aty ku investohen koha vullneti dhe shpirti. Të mos humbësh shpresën dhe besimin se me punë dhe përkushtim arrihet çdo gjë, duke respektuar njeriun me tërë vlerat dhe atributet që i ka. Mbarë botës i kemi dëshmuar se populli i ynë i vogël gjithmonë ka nxjerr njerëz të mëdhenj”, ka thënë Pacolli para studentëve, raporton Ekonomi Online.

Pacolli më tutje ka folur edhe për gjendjen ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi.

“Investitorët ikin prej Kosove sepse ne këtu në Kosovë e kemi një princip që t’i trajtojmë njerëzit vetëm për një shfrytëzim të njëhershëm e kështu nuk bën. Unë e kam trajtuar njeriun që ka punuar me mua si pjesë të suksesit dhe gjithmonë ndarjen e kam bërë në mënyrë proporcionale”, ka thënë Pacolli./Insajderi.com