Pacolli: Nëse lajmi për njohjen nga Xhamajka nuk është i vërtetë, Çitaku të shkarkohet

Pacolli: Nëse lajmi për njohjen nga Xhamajka nuk është i vërtetë, Çitaku të shkarkohet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, duhet të mbahet përgjegjëse dhe të japë llogari nëse informata për njohjen nga Xhamajka nuk është e vërtetë.

Ajo ka thënë se siç po duket shumë shpejt aksioni për pastrimin e Shërbimit të Jashtëm do të prek edhe ambasadorë.

“Kosovës tani i duhen Ambasadorë kompetent, profesional, të përgjegjshëm e në shërbim për të mirën e shtetit. Nuk kemi nevojë për Ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta. Nëse vërtetë lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari”, ka shkruar ajo në Facebook.

Mirëpo, dje, ishte vetë Pacolli e cila krenohej me këtë lajmë. Ajo njohjen e nga shteti i Xhamajkës e ka quajtur fitore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pacolli përmes një statusi në ‘Facebook’ kishte shkruar se era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj. Madje, ajo thoshte se ky ndryshim do të sjell edhe liberalizimin e vizave.

“Viti 2020 filloi mbarë. Në 2018 kishim vetëm një njohje e në 2019 kishim 0 njohje. Sot, Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës. Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj. Ky ndryshim do të sjellë njohje të reja, investime e edhe Liberalizimin e vizave. Erdhi dita për ty Kosovë!”, ka shkruar Pacolli.