Pacolli paralajmëroi njohjen e një shteti – MPJD nuk tregon se për cilin bëhet fjalë

Pacolli paralajmëroi njohjen e një shteti – MPJD nuk tregon se për cilin bëhet fjalë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me paralajmërimin e kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, se një delegacion i një shteti, që sipas tij do ta njohë Kosovën, pritet të vijë të martën në Kosovë.

Ndonëse nuk ka treguar emrin e këtij shteti, ka thënë se vjen nga kontinenti i Afrikës.

Por, të kontaktuar nga Shqip.com, nga MPJD-ja kanë thënë se “nuk japim informacione lidhur me këtë temë”.

“As në rastin konkret, e as në raste të ngjashme, ku rrjedhja e informacionit e rrezikon seriozisht procesin. Iu bëjmë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund të cenojë proceset e tilla të brishta”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Begjet Pacolli, ka njoftuar të dielën se i ka dërguar letër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, përmes së cilës e ka lajmëruar se një shtet të cilit nuk ia ka përmendur emrin, e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Albin Kurti dhe Behgjet Pacolli

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se presidenti i shtetit ka shprehur gatishmërinë për ta vizituar Kosovën, në mënyrë që të fromalizohet njohja.

“Në WhatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që ka konfirmuar se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, për ta kryer formalitetin e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj eventuale në këtë shtet”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Vendimin për ta bërë këtë çështje publike, Pacolli ka thënë se e ka marrë pasi që, sipas tij, kryeministri Kurti, nuk i përgjigjet në letrat dhe mesazhet që ia dërgon.

“Takimi ynë i fundit me ju ishte një natë para zgjedhjeve presidenciale, kur ju kishit nevojë për votën time”, ka vazhduar ai.

“Duke e ditur se ju nuk përgjigjeni ne letrat e  mia,(ashtu siç nuk iu përgjigjët as atyre letrave që kërkoja lirimin e instrumenteve mjekësore,sipas rregullave, për spitalin e pediatrisë që i kishit bllokuar në terminalet doganore)”.

Në fund, ish-presidenti Pacolli ka pohuar se “gjithçka është e rregulluar, zotëri Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj”./Insajderi.com