Autoritetet e Serbisë ia kanë refuzuar kërkesën për vizitë zyrtare të ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, në Novi Pazar.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka reaguar pas refuzimit duke paralajmëruar masa reciproke kundrej autoriteteve serbe.
“Do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundërdrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fundamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe.Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombasit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vëhen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombasit e tyre në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar.
Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte ftuar për të marrë pjesë në një konferencë dy ditore të Këshillit Kombëtar Boshnjak të Serbisë.
Serbia dhe Kosova, në kuadër të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve, kanë nënshkruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe vizitat e zyrtarëve në vitin 2014.