Pacolli premton rritje ekonomike prej 8% pas dy viteve

Pacolli premton rritje ekonomike prej 8% pas dy viteve

Aleanca Kosova e Re së bashku me kryetarin e saj Behgjet Pacollin dhe anëtarët e saj ka mbajtur një takim në Viti.

Behgjet Pacolli në këtë tubim tha se rritja ekonomike që do ta mundësojë koalicioni qeverisës mes AKR-së dhe LDK-së, që nga viti i dytë i mandatit, do të jetë mbi 8 %.

“Qeverisja e AKR-së dhe LDK se do të jetë qeverisje e zhvillimit ekonomik, ne do t’i mbështesim idetë e rinisë dhe do t’i implementojmë ato. Këtë dinamizëm të rinisë nuk do ta zbehim, por do ta forcojmë”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se është për tu frikësuar se në çfarë norme është rritur përqindja e njerëzve të infektuar me sëmundje ngjitëse, ndërsa të gjitha këto sipas tij, vijnë si pasojë e moskujdesit për ambientin ku jetojmë.

“Lumenjtë dalin nga shtrati, ndoten dhe pastaj rrugës depërtojnë nëpër toka pjellore dhe helmojnë çdo gjë”.

Pacolli në fund para qytetarëve të Vitisë ka prezantuar kandidatët e Aleancës Kosova e Re për deputetë në Parlamentin e Republikës së Kosovës, për të cilët është zotuar se do të jenë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës dhe se do t’i përfaqësojnë ata me dinjitet./Insajderi.com