Ish-presidenti i rrëzuar nga ky post nga Gjykata Kushtetuese, Behxhet Pacolli ka bindjen se procesi i rrëzimit të tij nga presidenca ka qenë i orkestruar.
Për këtë ka ofruar si shpjegim faktin se për Gjykatën Kushtetuese në rastin në tij është dashur të jenë të pranishëm të gjithë deputetët, ndërsa në rastin e Hashim Thaçit vetëm e 2/3 e deputetëve.
“Shihet qartë që ka qenë një gjë e përgatitur. Tash mua me jepet një dyshim që ky instrumentalizim që të zgjidhet Presidenti në kohën kur jam zgjedhur unë, ka qenë një lojë. Ka qenë një gjë e orkestruar”, ka thënë Pacolli për emisionin “Rrokum Roll”.
Ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese si një organ në të cilin kanë ndikim të madh ata që i ka quajtur “komandantë dhe organizata nëntokësore”.
“Po të kisha qenë ai njeri që do t’i paguante ata cent, do të isha President i Kosovës”, tha Pacolli, teksa e ka uruar në mënyrë ironike Hashim Thaçin “për një proces të lehtë të zgjedhjes president”.
Por Pacolli nuk do të dorëzohet. Ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme atij i nevojiten të fitoj 20 për qind që të krijoj Qeverinë e re dhe se për dy mandate do ta bënte Kosovën me një ekonomi të zhvilluar.