Pacolli takon homologen bullgare: Synohet rritja e shkëmbimit tregtar

Pacolli takon homologen bullgare: Synohet rritja e shkëmbimit tregtar

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, priti në një takim të veçantë homologen e tij nga Republika e Bullgarisë, Zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva.

Në takim është diskutuar për gjendjen e tanishme të marrëdhënieve bilaterale në mes dy shteteve, çështjet rajonale, rolin dhe mbështetjen, që Bullgaria do ta ketë gjatë Presidencës së ardhshme të BE-së nga janari i vitit të ardhshëm, përkrahjen e mëtejshme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe nevojës së rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

Tutje, Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i jashtëm, Pacolli e ka vlerësuar rolin mbështetës të Bullgarisë për Kosovën në të gjitha proceset dhe në frymën e kësaj ka shpalosur edhe planet e ardhshme të bashkëpunimit reciprok dhe agjendën e Kosovës në proceset e integrimit evropian.

“Duhet të organizohemi, që bashkëpunimi ekonomik të jetë edhe më i mirë dhe të ketë më shumë shkëmbime të mallrave. Kosova, ka çka të mësojë nga përvoja e Bullgarisë, si në përvojën e shtet-ndërtimit, ashtu edhe në atë të integrimit në BE”, ka thënë Pacolli.

Sa i përket procesit të dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Pacolli ka thënë se “e vetmja rrugë e hapur është dialogu dhe Kosova asnjëherë nuk do të ndalet nga dialogu”.

Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, e ka vlerësuar lartë miqësinë që është ndërtuar ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve, duke shprehur përkushtimin e shtetit të saj dhe mbështetjen e perspektivës evropiane për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drejtim, ajo ka theksuar se nga janari i vitit 2018, Bullgaria do të kryesojë Presidencën e radhës së BE-së dhe një ndër prioritetet kyçe të tyre është Ballkani Perëndimor.

Ky është një moment unik për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk duhet humbur si i tillë, ka nënvizuar kryediplomatja bullgare.

“Ne jemi të bindur se pa i pasur brenda BE-së shtetet tona mike, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, projekti evropian nuk do të jetë i kompletuar”, ka thënë shefja e diplomacisë bullgare, përderisa ka kërkuar nga qeveritë e këtyre vendeve të vazhdojnë me zhvillimin dhe implementimin e reformave.

Ajo, gjithashtu, premtoi mbështetje të mëtutjeshme për Kosovën, duke vlerësuar si të rëndësisë së veçantë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtarë në mes dy vendeve, pasi që sipas saj ekzistojnë shumë mundësi të pashfrytëzuara nga të dyja palët.