Pacolli: Tani vendet e BE-së nuk kanë arsye të na bllokojnë

Pacolli: Tani vendet e BE-së nuk kanë arsye të na bllokojnë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian tani më nuk kanë arsye të bllokojnë lëvizjen pa viza për kosovarët, njofton Insajderi.

Sipas saj, tani Kosova ka qeveri të pa korruptuar.

Ajo ka theksuar se në të gjitha raportet e progresit duke filluar nga i pari e deri tek raporti i fundit, është thënë se korrupsioni mbetet shumë i përhapur dhe se mungon vullneti politik.

Por, në Qeverinë Kurti 2, sipas Pacollit, ka vullnet të madh politik dhe guxim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Rekomandimi i Komisionit Evropian ka qenë dhe mbetet vetëm një rekomandim. Vendimin shtetet anëtare e bazojnë në ato çfarë u raportojnë ambasadat e tyre në Kosovë, raportet e progresit dhe atë çfarë thonë ekspertët evropian. Në të gjitha raportet e progresit duke filluar nga i pari e deri tek raporti i fundit, që u diskutua sot, është thënë se korrupsioni mbetet shumë i përhapur dhe se mungon vullneti politik. Kaq ka mjaftuar për shtetet anëtare të BE-së”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Ndërsa, tani shtetet anëtare nuk kanë më arsye të bllokojnë lëvizjen pa viza për Kosovën. Tani, Kosova ka qeveri të pa korruptuar. Ka qeveri me vullnet të madh politik dhe guxim të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar. Punët, vendimet e veprimet e qeverisë Kurti II do të ndikojnë edhe në qasjen e shteteve anëtare ndaj Kosovës”, ka shtuar Pacolli.

Kujtojmë se, ky reagim i Fitore Pacolli vjen pasi Parlamenti Evropian të enjten ka mbështetur kërkesën për liberalizim të vizave për Kosovën.

Për liberalizimin e vizave kanë votuar 472 pro euro parlamentarë, 165 ishin kundër, ndërsa 41 të tjerë kanë abstenuar./Insajderi.com