Pacolli thotë se fyerjet ndaj kosovarëve i bëri pronari i hotelit, por cili është reagimi i tij

Pacolli thotë se fyerjet ndaj kosovarëve i bëri pronari i hotelit, por cili është reagimi i tij

Fyerjet e hotelit “Ylli i detit”, ndaj kosovarëve ka ngjallur reagime të shumta. Në mesin e tyre edhe të zv.kryeministrit Behgjet Pacolli, i cili e ka bërë fajtorë drejtpërdrejt pronarin e hotelit, për të cilin ka thënë se vetë pronari i hotelit është shprehur me gjuhë fyese ndaj kosovarëve.

“Çdo verë, kaloj pushimet me familje edhe në Shqipëri. Shqipëria mund të zhvillohet ekonomikisht vetëm nga turizmi, por jo duke pasur raste të ngjashme sikurse ky që ndodhi sot. Sot pamë një shembull të tmerrshëm, të cilin kurrë nuk shpresoj ta shoh më. Nuk është një punëtor i Hotelit” Ylli i Detit” që ofendoi mysafirin nga Kosova në mënyrë të shfrënuar, por është vetë pronari. Kjo nuk është ajo ndjenja për të cilën ne kemi ëndërruar dhe sakrifikuar ose ndjenja që na shtyen të pushojmë në Shqipëri”, ka shkruar në Facebook, zv.kryeministri Pacolli.

Insajderi ka kontaktuar me vetë pronarin e hotelit “Ylli i detit” në Durrës, Indrid Nuredini, i cili nuk e ka demantuar deklaratën e Pacollit. Ai shkurt ka thënë se Pacolli nuk mund ta argumentojë atë që e ka thënë.

“Unë jam pronari i hotelit, dhe nuk lëshohem në ofendime të tilla që kanë dalur nga vetë mesazhet e hotelit. I nderuari Pacolli, nuk mund ta argumentojë atë që e ka thënë”, pronari i hotelit “Ylli i detit”.

Ai ka shtuar se ka respekt të madh për Behgjet Pacollin, por që asnjëherë nuk ka pranuar që ta demantojë deklaratën e tij.

“Unë kam respekt të madh për Behgjet Pacollin. Kam respekt për të”, tha Nuredini.

Në insistimin e vazhdueshëm të Insajderit, se a e demanton deklaratën e Behgjet Pacollit, pronari i hotelit tha që “Nuk po du të flas tani. Kam thënë atë që kam pasur ta them”, është përgjigjur shkurt ai, duke e fikur pastaj telefonin.

Insajderi ka provuar që të kontaktojë me vetë zv.kryeministrin Pacolli, por që kontakti me të ka qenë i pamundur.

Indrid Nuredini, pronar i hotelit “Ylli i detit” – Durrës

 

Kurse, në një deklaratë të mëhershme, menaxheri i hotelit “Ylli i detit”, në Durrës ka thënë se këtë fyerje ndaj kosovarëve e ka bërë një 17-vjecar, punëtor në recepsionin e hotelit, dhe sipas tij, atë e ka larguar menjëherë nga puna.

“Ne kërkojmë ndjesë publike përsëri. Atë mesazh e ka shkruar një recepsionist i Hotelit, i cili është larguar menjëherë nga puna. Kjo ishte e tëra që mund të bënim, për shkak se ai është vetëm 17-vjecar. Ne e mirëkuptojmë gjithë reagimin e bërë nga vëllëzërit tanë kosovarë, për shkak se ofendimi ka qenë shumë i rëndë. Prandaj, ju lus që të na mirëkuptoni edhe ju neve. Ai ka qenë një i mitur që nuk ka ditur se cfarë po shkruan”, ka thënë për Insajderi, menaxheri i Hotelit “Ylli i Detit” në Durrës.

E gjithë ngjarja kishte nisur nga Leutrim B, i cili kishte komunikuar me stafin e hotelit përmes mesengjerit, duke kërkuar nga ta një dhomë në hotel. Situata kishte eskaluar deri në fyerje nga ana e hotelit për të gjithë kosovarët. Kësisoj pas raportimit të Insajderit, kjo ngjarje ishte bërë temë diskutimi në vend, duke e shtyrë personelin e hotelit të kërkojnë falje.

Hoteli “Ylli i detit”, kërkim faljen e kishin nisur fillimisht duke i shkruar kosovarit, me të cilin kishte ndodhur edhe fyerja.

Në mesazhin e siguruar nga Insajderi, Hoteli “Ylli i Detit”, shkruan Leutrim B, duke iu thënë se personi që e ka shkruar atë mesazh është larguar menjëherë nga puna.

“Përshëndetje. Ju kërkojmë ndjesë për komunikimin e papërgjegjshëm që është bërë ndaj jush nga një recepsionist i papërgjegjshëm. Sapo e morëm lajmin për veprimin e bërë e kam pushuar automatikisht nga puna. Unë personalisht mendoj që nuk duhet bëhet shkak papërgjegjshmëria e një personi, për të prishur imazhin tonë të turizmit”, thuhet në kërkim faljen e hotelit drejtuar në mesazh kosovarit Leutrim B.

 

 

Ofendimet e hotelit “Ylli i Detit” bërë shqiptarëve të Kosovës