Pacolli thotë se Kosovën do ta njeh një shtet i ri – Daçiq thotë diçka tjetër

Pacolli thotë se Kosovën do ta njeh një shtet i ri – Daçiq thotë diçka tjetër

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, thotë të ketë pranuar një letër nga ambasada e Kongos, ku kundërshtohen deklarata e bëra nga ministri kosovar, Behxhet Pacolli, se ky shtet do të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Republika e Kongos nuk do ta njoh de jure apo de fakto shtetin e Kosovës”, shkruhet në letrën që pretendohet se Ambasada e Kongos i ka dërguar MPJ-ja e Daçiqit

Kjo deklaratë është lëshuar në një komunikatë për media nga zyra e Daçiqit, që thuhet se është në përputhje me përmbajtjen e letrës së dërguar nga Ambasada e Kongos në Beograd.

Pacolli ditë më parë kishte thënë se “këto ditë pritet një njohje e re nga Kongo, shtet në Afrikë”.

Ai shtoi se procesi i njohjeve është ngadalësuar për shkak se tash kanë mbetur pa e njohur Kosovën shtete të mëdha dhe sipas tij procesi është pak më i vështirë sepse janë shtete të mëdha me mbi 60 milionë banorë dhe kanë interesa të ndryshme.

“Për njohjet është ndërlikuar procesi, bota është ndarë për procese gjeostrategjike. Zambia, Kenia, Uganda, Ruanda, Etiopia, janë shtete që nuk na kanë njohur por që e mbështesin Kosovën në shumë procese integruese. Jemi duke punuar me shtetin e Kilit, Argjentinës, Paraguait dhe Brazilit por është pune që do vite për te ardhur deri te njohja. Nëse do te kishim një traktat të paqes me Serbinë do ti hapte rrugë njohjes. Edhe ne Afrikën e Jugut presim njohje nga Kongo këto ditë. Kongo është shtet shume i madh në Afrikë”, ka thënë Pacolli.